Saturday, November 30, 2024

 

     Përralla  për fëmijë   GJELI I GONIT

                                                             

                                                                autor: Sami Murtezai

                                             (Për të shikuar përrallën, kliko në foton sipër)

           Na ishte njëherë një fshat, shumë kohë më parë, atëherë kur s'kishte  as televizor, as veturë, as telefon, as edhe orë për t`u zgjuar. Këtë punë e bënin gjelat...

          Çdo shtëpi kishte nga një gjel. Edhe familja e Gonit kishte një gjel të mrekullueshëm

         Çdo ditë herët në mëngjes, në të njëjtën kohë gjeli këndonte…

        ( kikiriku....kikiriku...)       

        Dhe e zgjonte babain e Gonit, i cili ishte druvar, për të shkuar në mal....
Kështu ndodhte çdo ditë, përderisa një ditë gjeli u sëmurë dhe i iku zëri.
Ai u përpoq të këndojë...

       ( hi..hi..iu. i..hi..hiu...)

       Por më kot, zëri nuk i dilte...
Atë ditë babai i Gonit u zgjua vonë, duke menduar se nuk e ka dëgjuar gjelin.
Goni e kuptoi se gjeli ishte sëmurë dhe i jepte çaj të pijë.

      - Pij se është me mjaltë, të bën mirë! 

Por edhe ditën tjetër e njëjta  gjë ndodhi.  Gjelit nuk i dilte zëri…
     
      ( hii ii iu )

      Babai i Gonit përsëri u zgjua vonë dhe i inatosur bërtiti:

   
 
-      Ah more gjel, të paska ardhur fundi. Kur do të këthehem në shtëpi do të pjek në furrë!

    Goni e dëgjoi babain dhe sapo ai u largua shkoi te gjeli:

  - Ik gjel sa më shpejt! Ik mos të gjejë babi kur të këthehet!    Ik!   Largohu! - I tha Goni.


      Gjeli u largua kah pylli. I gjori nuk dinte nga të shkojë. Nuk dinte ku të fshihet. Nata po afrohej dhe gjeli  frikësohej edhe më shumë...


         Erdhi mëngjesi. Gjeli akoma qëndronte në të njëjtin vend i frikësuar. Aty pranë e kishte shtëpin ketri...

       - Çfarë kërkon këtej o gjel?! - E pyeti ketri.
  
        (hi hiu...) 

      - Of, të paska ikur zëri?! Eja më shpejt futu brenda. - I tha ketri dhe u futën brenda.

-      Shiko, këtu në pyll ka një burim me ujë, e quajnë burimi i bilbilave, sepse aty pijnë ujë bilbilat që të kenë zë më të mirë. Edhe ti po pive nga ai burim, do të vijë zëri. Por duhet të kemi kujdes nga dhelpra, se rrotullohet te burimi që të gjuajë ndonjë bilbil……
   - Ah se harova, me siguri je i uritur apo jo? -E pyeti ketri dhe i dha misër të hajë.
         
         Të nesërmen u nisën... Vërtet, pranë burimit qëndronte dhelpra.
U fshehën pas një druri dhe prisnin që ajo të largohet…
Por dhelpra s’kishte ndërmend të largohej... Po vinte nata, kështu që vendosën të këthehen në shtëpi..

       - Shiko, më lindi një ide: Kam një pluhur që të vë në gjumë. Do marrim një copë djath
ë dhe do i fusim pluhur. Kur do të shkojmë te burimi, do ja hedhim dhelprës që ta hajë dhe ta zërë gjumi. Prit të shkoj ta marr.- Tha ketri dhe mori një copë djathë dhe i hodhi pluhur.
   
  
    Në mëngjes u nisën te burimi…

     Kur arritën, ja hodhën djathin dhelprës. Ajo u habit kur e pa, por nga që ishte e uritur, e gëlltiti menjëherë...
     Pas një kohe të shkurtër, e zuri gjumi.
Gjeli menjëherë vrapoi te burimi dhe pasi piu ujë, i erdhi zëri dhe filloi të këndojë....

     (Kikiriku kikiriku)

- Pusho se do të zgjohet dhelpra! - I tha ketri


Por gjeli nga gëzimi nuk ndalej...

 (kikiriku)

Pastaj u larguan. U përshendetën dhe u ndanë:

Mirupafshim - I tha ketri

(kikiriku ) - ia ktheu gjeli

Goni kur e pa gjelin , u gëzua pa masë…

-      Oh sa më ke munguar o gjeli im besnik! - tha Goni dhe e perqafoi fort gjelin...



No comments:

Post a Comment