Perralla per femije
LIQENI I PËRBINDËSHIT
autor: Sami Murtezai(Për të shikuar përrallën, kliko në foton sipër)
Na ishte njëherë një djalë me emrin Luli . Ai ishte shumë i zgjuar dhe i urtë, por kishte një problem të madh . Ishte shumë i shkurtër. Saherë që do dilte të luajë në rrugë, të gjithë fëmijët e përqeshnin, e thirrnin Luli shkurtabiqi , Luli picimuli. Për këtë arsye ai nuk dilte shpesh nga shtëpia. Pëlqente të qëndrojë brenda në shtëpi dhe të lexojë ndonjë libër. Dhe ashtu një ditë duke kërkuar libër për të lexuar, pa një libër me titull “Liqeni i përbindëshit”. E hapi librin dhe filloi të lexojë:
“Përtej nëntë maleve dhe nëntë fushave ndodhet liqeni i përbindëshit. Uji i këtij liqeni është i veçantë, sepse çdokush që do pijë ujë nga ky liqen, trupi i tij rritet menjëherë! Por këtë liqen e ruan një përbindësh i madh, i cili nuk lejon askënd ti afrohet liqenit…”
Pasi e lexoi këtë, e pyetin nënën e tij:
-Mami, a ke dëgjuar ti për liqenin e përbindëshit ?
- Po. – Iu përgjigj mami.
- A është e vërtet se uji i këtij liqeni të rrit trupin? – Pyeti përsëri Luli.
- Po. Por, askush nuk guxon të shkojë atje, sepse atë e ruan një përbindësh i madh dhe kush ka shkuar, nuk është kthyer gjallë prej atje.
Nga ai çast, Lulit gjithë kohës mendja i rrinte te liqeni i përbindëshit. Kishte shumë dëshirë të shkojë dhe të pijë ujë nga liqeni që trupi i tij të rritet. Çdo ditë bënte plane se si të shkojë andej. Dhe një ditë vendosi të shkojë.
- Nesër në mëngjes do të nisem. -Tha me vete Luli.
E mbushi çantën me ushqim, mori edhe një shishe dhe herët në mëngjes, pa i treguar askujt u nis...
Ecte pa pushim. Pas një rruge të gjatë, filloi të ndjejë lodhje. Edhe ushqimi që e kishte marrë me vete iu mbarua. Nga lodhja, filluan edhe këmbët t`i dhembin. U ul pranë një druri për të pushuar. Aty pranë e kishte shtëpinë një lepur. Ai kur e pa Lulin ashtu të lodhur, e thirri brenda. Luli ia tregoi arsyen pse ndodhej aty. Lepuri u habit kur dëgjoi për liqenin dhe i tha se edhe ai kishte dëshirë të jetë më i madh dhe iu lut Lulit që të shkojë me të. Luli pranoi. Të nesërmen , herët në mëngjes morën ushqim me vete dhe u nisën. Rrugës duke ecur panë një zog shqiponje që kishte rënë nga foleja dhe një dhelpër që i afrohej ta rrëmbejë. Luli vrapoi dhe dhelpra iku nga frika. E mori zogun që ta vendosë në fole. Por në atë moment erdhi shqiponja e madhe, e cila iu vërsul Lulit duke menduar se po ia rrëmben zogun. Por, zogu i tregoi shqiponjës se Luli me lepurin e shpëtuan nga dhelpra. Shqiponja i falenderoi dhe i tha se nëse ndonjëherë do të kenë nevojë per të, të fishkëllejnë tri herë dhe ajo do të vijë menjëherë. U përshëndetën dhe vazhduan rrugën.
Ecen e ecen pa pushim, ditë e natë. Edhe ushqimi që kishin marrë me vete u harxhua. U lodhën aq shumë sa që nuk mund të vazhdonin tutje. U ulën për të pushuar. Aty pranë e kishte shtëpinë një ketër. Ai kur i pa, i pyeti çfarë ka ndodhur me ta. Pasi ia treguan arsyen pse ndodheshin aty , ketri i pranoi brenda. U dha edhe ushqim te hanë dhe i pyeti nëse do pranonin ta merrnin edhe atë në udhetimin e tyre, se edhe ai kishte shumë dëshirë të jetë më i madh. Ata pranuan. Të nesërmen, herët në mëngjes morën ushqim dhe u nisën.
Pasi bënë një rrugë të gjatë, vendosën të pushojnë e të hanë ushqim. U ulën mbi disa gurë. Aty nën gurë ndodhej një vrimë miu. Miu sapo e nuhati ushqimin, doli nga vrima dhe e mori ushqimin pa u vërejtur. Ata u habitën se si u zhduk ushqimi që e kishin aty pranë!
-Po tani çfarë do të bëjmë pa ushqim! Nuk do mund të arrijmë deri te liqeni! - Tha lepuri.
- Do të mbesim të vegjël përgjithmonë!-Tha ketri.
Miu e dëgjoi bisedën e tyre dhe doli nga vrima. U tha se nëse e pranonin ta merrnin edhe atë te liqeni, do t`ua kthente ushqimin. Ata e pranuan. Hëngrën pak nga ushqimi dhe u nisën.
Ecën e ecën pa pushim. Filluan të ndjejnë lodhje, sidomos miu, i cili mbetej gjithmonë pas tyre.
-Eja, shpejto pak! -I tha Luli miut.
Miu u ndal dhe tha se nuk mund të vazhdonte më. Luli e mori miun dhe e futi në xhepin e pantallonave. Vazhduan të ecin. Por, ngadal ngadal të gjithë filluan të ndjejnë lodhje. Edhe ushqimi që e kishin u mbarua. U lodhën aq shumë, saqë nuk mund t`i lëviznin këmbët. U ndaluan pranë një guri të rraskapitur dhe të pashpresë se do të arrijnë tek liqeni. Por në një moment, Lulit iu kujtua shqiponja dhe vendosën ta thirrin. Duhej të fishkëllenin tri herë, por askush nuk kishte fuqi ta bëjë këtë, sepse nga lodhja, mezi u dilte zëri. Atëherë vendosën që të tre të fishkëllejnë nga një herë. Mblodhën forcë dhe secili fishkëlleu nga një herë. Pritën pak, por shqiponja nuk vinte!
-Me siguri nuk na ka dëgjuar. -Tha lepuri.
- Mbase është larg dhe i duhet kohë që të vijë. -Tha Luli.
Vërtet pas pak erdhi shqiponja. Ajo i pyeti se për çfarë kishin nevojë. Ata i kërkuan shqiponjës që t`i dërgojë te liqeni i përbindëshit. Shqiponja u tha se është shumë veshtirë per të, por ngaqë ia kishin shpëtuar jetën zogut të saj, do të mundohet t`i dërgojë atje. Dhe u nisën. Kur arritën tek liqeni, shqiponja i zbriti dhe u largua menjëherë, nga frika se mos vijë përbindëshi. Dhe vërtet, pas pak çastesh u shfaq përbindëshi. Ai sa i pa menjëherë u doli përpara.
-Kush jeni ju dhe si guxoni t`i afroheni liqenit tim?! -U tha përbindëshi dhe i kapi të tre në një dorë dhe i mbylli në një kafaz.
- Obobo çfarë na gjeti. -Tha lepuri!
-Të mjerët ne, mbaruam. -Tha ketri.
-Mos u mërzitni. -Ua ktheu miu, duke dalur nga xhepi. -Sapo ta zërë gjumi përbindëshin, do të shkoj t`ia mar çelsin e kafazit dhe do dalim prej këtu.
Pas një kohe, përbindëshi u shtri dhe e zuri gjumi. Miu doli nga kafazi, iu afrua përbindëshit me kujdes dhe me dhëmbët e tij e këputi perin dhe e mori çelsin. E hapën derën dhe dolën nga kafazi.
-Të ikim sa më shpejt prej këtu. -Tha lepuri.
-Jo, Tha Luli.
-Nuk ik prej ketu pa me pi ujë nga liqeni. Do shkoj të mbush ujë. -Tha duke e nxjerr shishen nga çanta.
-Por, është rrezik se mund të zgjohet përbindëshi. -Tha ketri.
-Do të shkoj unë se jam i vogël dhe nuk do të më vërejë përbindëshi. -Tha miu dhe e mori shishen nga çanta e Lulit dhe shkoi te liqeni. E mbushi me kujdes dhe pa e vërejtur përbindëshi, u kthye te shokët që e pritnin me padurim. I pari e mori Luli. Sapo piu nga shishja, trupi i tij u rrit përnjëherë. Pas tij edhe ketri piu nga shishja, pastaj lepuri e në fund edhe miu. Të gjithë u rritën aq sa kishin dëshirë të jenë. Por, në shishe mbeti akoma ujë dhe miu vendosi ta pijë të gjithë. Por pas pak, trupi i tij u rrit shumë!
- Obobo sa i madh u bëra! -Tha miu i habitur. Por, i pëlqeu vetja i madh.
-Tani mos u mërzitni për t`u kthyer në shtëpi, se do ju mbaj unë në shpinën time. -Tha miu dhe i hypi të tre mbi shpinë dhe u nisën të gëzuar për në shtëpi.
Kur Luli arriti në shtëpi, nëna e tij, e cila ishte mërzitur shumë për Lulin, kur e pa u gezua pamasë!
-O biri im u kthye në shtëpi! Po sa qënke rritur! E si kështu?!
-Pyeti ajo e habitur.
- Eh mami, gjithçka që e dëshiron shumë, mund ta arrish në jetë, sado e veshtirë të jetë, veç nëse ke vullnet dhe përpiqesh deri në fund. – Iu përgjigj Luli dhe e përqafoi…
No comments:
Post a Comment